Refuzimi është zhgënjyes, por letra e vendimit duhet trajtuar si dokumenti kryesor për analizën e radhës. Ajo tregon cilat kërkesa nuk u konsideruan të provuara dhe çfarë peshe iu dha financave, qëllimit të udhëtimit, lidhjeve me vendin e banimit ose besueshmërisë së informacionit.

Hapi i parë nuk është formulari i ri.Hapi i parë është të krahasohen arsyet e refuzimit me formularin e vjetër, dokumentet e dorëzuara dhe faktet reale të aplikantit.

Lexoni çfarë thotë vendimi — jo vetëm rezultatin

Shprehje si “nuk jam i bindur” zakonisht lidhen me një arsyetim konkret në letër. Mund të jetë mospërputhja midis të ardhurave dhe bankës, mungesa e provave për burimin e fondeve, paqartësia e sponsorit, një plan udhëtimi jo bindës ose informacion që nuk përputhet me aplikimet e mëparshme.

Analiza duhet të ndajë tre gjëra:

  • çfarë ishte deklaruar në formular;
  • çfarë provohej realisht nga dokumentet;
  • çfarë përfundimi nxori shqyrtuesi nga këto prova.

A duhet të prisni 6 muaj përpara se të aplikoni përsëri?

Nuk duhet supozuar automatikisht një afat standard gjashtëmujor vetëm sepse një vizë vizitori është refuzuar. Letra e vendimit dhe rrethanat konkrete duhen kontrolluar, sepse lloje të caktuara shkeljesh ose çështjesh të përshtatshmërisë mund të kenë pasoja të veçanta.

Në një refuzim të zakonshëm për mungesë bindjeje ose provash, pyetja praktike nuk është “sa muaj kanë kaluar?”, por “çfarë ka ndryshuar ose çfarë mund të provohet më qartë?”. Kalimi i kohës, pa ndryshuar asgjë në dosje, nuk e zgjidh vetë arsyen e refuzimit.

Kur ka kuptim një aplikim i ri?

Një aplikim i ri mund të jetë i arsyeshëm kur arsyet e refuzimit janë kuptuar dhe mund të adresohen me informacion të saktë, shpjegime më të qarta ose dokumente që ekzistojnë realisht. Për shembull:

  • burimi i një depozite mund të dokumentohet dhe të lidhet me të ardhurat reale;
  • marrëdhënia dhe aftësia financiare e sponsorit mund të provohen më qartë;
  • gabimet ose mospërputhjet në formular mund të korrigjohen dhe të shpjegohen hapur;
  • qëllimi, kohëzgjatja dhe kostoja e udhëtimit mund të paraqiten në mënyrë më realiste;
  • rrethanat e aplikantit kanë ndryshuar në mënyrë materiale dhe të dokumentueshme.

Çfarë nuk duhet bërë pas refuzimit?

Mos e fshihni refuzimin e mëparshëm

Historiku i aplikimeve duhet deklaruar saktë. Një mospërputhje e re mund të krijojë problem më serioz se paqartësia fillestare.

Mos shtoni para vetëm për të rritur balancën

Një shumë më e madhe pa burim të kuptueshëm mund të krijojë pyetje të reja. Lexoni shpjegimin tonë për financat dhe depozitat për vizën UK.

Mos ndryshoni historinë për ta bërë më bindëse

Aplikimi i ri duhet të mbetet në përputhje me faktet dhe me deklarimet e mëparshme. Nëse një informacion ka qenë gabim, korrigjimi duhet shpjeguar; nuk duhet zëvendësuar me një version tjetër pa adresuar ndryshimin.

A ka apel ose rishikim?

Mundësitë varen nga lloji i aplikimit dhe nga ajo që shkruhet në letrën e vendimit. Shumë refuzime të vizës standarde të vizitorit nuk kanë të drejtë të zakonshme apelimi. Nëse vendimi ofron një mjet rishikimi ose nëse ngrihet një çështje ligjore specifike, afatet mund të jenë të shkurtra dhe këshilla profesionale ligjore mund të jetë e nevojshme.

Tranzit Visa analizon refuzimin dhe përgatitjen e një aplikimi të ri kur kjo është e arsyeshme; nuk paraqitet si firmë ligjore britanike. Kur një çështje kërkon vlerësim shtesë, kemi mundësi të konsultohemi me profesioniste ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.

Dosja e dytë duhet të tregojë se refuzimi është marrë seriozisht

Kjo nuk do të thotë t’i kundërviheni çdo fjalie të vendimit. Do të thotë të jepni një aplikim ku faktet, dokumentet dhe shpjegimet adresojnë paqartësitë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ndonjëherë rekomandimi i ndershëm është të mos aplikoni ende, derisa një element i rëndësishëm të mund të sqarohet ose forcohet.

Rasti juaj është individual.

Kërkoni analizën e refuzimit dhe vlerësimin e një aplikimi të ri nga Tranzit Visa.

Kërko vlerësim në WhatsApp

Burime zyrtare

Ky material është informues dhe nuk është këshillë ligjore. Kontrolloni letrën tuaj të vendimit dhe burimet zyrtare për të drejtat dhe afatet që mund të zbatohen në rastin konkret.