Pyetja “çfarë dokumentesh duhen për vizë angleze?” nuk ka një përgjigje identike për çdo aplikant. Edhe udhëzimi zyrtar britanik e paraqet listën e dokumenteve si orientuese dhe jo shteruese. Dokumentet që kanë kuptim për një të punësuar nuk janë domosdoshmërisht të njëjtat për një të vetëpunësuar, pensionist, student apo aplikant të sponsorizuar.

Parimi kryesorDokumentet duhet të mbështesin atë që është deklaruar në formular. Nëse formulari, lëvizjet bankare, puna, sponsori dhe plani i udhëtimit tregojnë histori të ndryshme, sasia e dokumenteve nuk e zgjidh mospërputhjen.

Dokumentet bazë të identitetit dhe udhëtimit

Aplikanti duhet të ketë një pasaportë ose dokument udhëtimi të vlefshëm për të gjithë qëndrimin. Formulari kërkon gjithashtu informacion për datat e planifikuara, akomodimin, koston e vizitës, të ardhurat dhe, sipas rastit, personin që paguan ose familjarët në UK.

Një plan udhëtimi realist duhet të jetë në përpjesëtim me kohën, qëllimin dhe financat e deklaruara. UKVI sqaron se nuk është e nevojshme të blihen bileta përpara aplikimit ose përpara vendimit.

Dokumentet për punën ose aktivitetin në Shqipëri

Nëse jeni i punësuar

Mund të jenë të dobishme një vërtetim pune me pozicionin, pagën dhe kohëzgjatjen e punësimit, leja e miratuar për periudhën e udhëtimit dhe prova të të ardhurave. Këto dokumente duhet të përputhen me pagën dhe historikun që deklaroni në formular.

Nëse jeni i vetëpunësuar ose keni biznes

Regjistrimi i aktivitetit është vetëm pika e nisjes. Në varësi të rastit, mund të nevojiten dokumente që tregojnë se aktiviteti funksionon realisht: fatura të fundit, kontrata, lëvizje bankare, deklarime tatimore ose prova të tjera të punës së vazhdueshme.

Nëse jeni pensionist, student ose pa punësim formal

Dosja duhet të shpjegojë burimin e të ardhurave ose të mbështetjes dhe rrethanat konkrete të aplikantit. Mungesa e një pune nuk zëvendësohet automatikisht me një pronë, një sponsor apo një shumë në bankë; të gjitha elementet duhen parë së bashku.

Dokumentet financiare për vizën UK

Dokumentet financiare duhet të tregojnë jo vetëm gjendjen e llogarisë, por edhe aksesin dhe burimin e parave. Udhëzimi për shqyrtuesit kërkon lidhje midis të ardhurave, depozitave të mëdha, mbështetjes nga familjarët dhe provave të paraqitura.

  • Ekstrakte bankare që tregojnë lëvizjet dhe burimin e fondeve.
  • Prova të pagës, pensionit, aktivitetit ose të ardhurave të tjera të deklaruara.
  • Shpjegime dhe prova për depozita që nuk kuptohen nga historiku normal i llogarisë.
  • Një buxhet udhëtimi realist në raport me financat dhe detyrimet që vazhdojnë në Shqipëri.

Për një shpjegim më të thelluar, lexoni sa para duhet të keni në bankë për vizë angleze.

Kur udhëtimin e mbulon një sponsor

Nëse dikush tjetër paguan udhëtimin, akomodimin ose shpenzimet, dokumentet duhet të tregojnë çfarë mbulon sponsori, si do ta ofrojë mbështetjen, marrëdhënien me aplikantin dhe nëse ka mundësi financiare të mbështesë veten dhe personat që varen prej tij. Kur sponsori është në UK, duhet të dokumentohet edhe statusi i tij ligjor.

Një invitation letter mund të ndihmojë për të shpjeguar qëllimin e vizitës dhe akomodimin, por nuk e zëvendëson analizën e rrethanave të aplikantit. Sponsorizimi është një pjesë e dosjes, jo një garanci rezultati.

Dokumentet për historikun dhe rrethanat personale

Pasaportat e mëparshme mund të ndihmojnë për të dokumentuar historikun e udhëtimeve. Por mungesa e udhëtimeve të mëparshme nuk do të thotë automatikisht refuzim; rasti vlerësohet në tërësi. Po kështu, prona mund të jetë një pjesë e rrethanave ekonomike, por nuk është provë e vetme dhe as garanci.

Përkthimet dhe kontrolli final

Dokumentet që nuk janë në anglisht ose uellsisht duhet të shoqërohen me përkthime të certifikuara. Përpara dorëzimit duhet të kontrollohen emrat, datat, shumat, periudhat e punësimit, sponsorizimi dhe çdo përgjigje në formular.

Pyetja e duhur nuk është vetëm “çfarë dokumentesh kam?”Pyetja është: çfarë duhet të kuptojë shqyrtuesi nga këto dokumente dhe a mbështesin ato informacionin e deklaruar?

Rasti juaj është individual.

Kërkoni vlerësimin e aplikimit tuaj nga Tranzit Visa.

Kërko vlerësim në WhatsApp

Burime zyrtare

Ky material është informues dhe nuk përbën garanci për rezultat. Rregullat dhe udhëzimet mund të ndryshojnë; kontrolloni gjithmonë burimin zyrtar.